Rreth Projektit
Projekti “Rinia Shqiptare - E Ardhmja e Trashëgimisë Kulturore”
konsiston në zhvillimin dhe zbatimin e aktiviteteve të ndryshme informuese dhe edukuese që synojnë të rrisin pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete vullnetare për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit. Në të njëjtën kohë Projekti do të përfshijë në aktivitete të ndryshme dhe mësuesit në mënyrë që të ketë një përmirësim të aftësive të tyre profesionale përsa i përket edukimit mbi trashëgiminë kulturore. Projekti do të implementohet gjatë periudhës Mars-Dhjetor 2023 në qytetin e Durrësit.
Trashëgimia kulturore
mund të përkufizohet si trashëgimi e artefakteve fizike dhe atributeve jomateriale të një grupi ose shoqërie të trashëguar nga e kaluara. Trashëgimia kulturore është një koncept që ofron një urë lidhëse midis së shkuarës dhe së ardhmes me aplikimin e qasjeve të veçanta në të tashmen. Në pëputhje me përufizimin e UNESCO-s, trashëgimia kulturore përfshin artefakte, monumente, një grup ndërtesash dhe sajtesh arkeologjike, muzetë që kanë një larmi vlerash duke përfshirë rëndësinë simbolike, historike, artistike, estetike, etnologjike ose antropologjike, shkencore dhe sociale. Ajo përfshin trashëgiminë e prekshme (të luajtshme, të palëvizshme dhe nënujore), trashëgiminë kulturore jomateriale të shprehur në artefakte, zona ose monumente të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Ndër shekuj, populli shqiptar ka krijuar një pasuri kulturore materiale dhe jo materiale mjaft të pasur, e cila mund të krahasohet lehtësisht me atë të popujve dhe kombeve më të vjetra të Evropës. Në rrjedhën e historisë, territori i sotshëm i Republikës së Shqipërisë, i ndodhur në udhëkryqet e Evropës, Ballkanit e Mesdheut ka përjetuar shumë pushtime dhe luftëra që kanë vënë në rrezik identitetin kulturor të shqiptarëve.
Trashëgimia kulturore e transmetuar nga e kaluara në të tashmen është shumë e rëndësishme sepse komunitetet e identifikojnë veten përmes tyre dhe krijojnë një ndjenjë përkatësie dhe ndërlidhje me kulturën dhe rrënjët e tyre. Në këtë aspekt është e nevojshme që angazhimi i anëtarëve të komunitetit në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të ndodhë që në moshë të vogël kur ato janë në fazën e zhvillimit të tyre kulturor dhe karakterial.
Edukimi dhe informimi mbi trashëgiminë kultutore i mundëson moshave të reja të marrin njohuri dhe vetëdije për vlerat kulturore dhe të rrënjosin brenda vetes rëndësinë e ruajtjes dhe konservimit të trashëgimisë kulturore edhe tek brezat e ardhshëm. Fatkeqësisht sistemi aktual arsimor në Shqipëri i ofron të rinjve njohuri të kufizuara mbi trashëgiminë kulturore.
Objektivi i përgjithshëm i projektit konsiston në ndërgjegjësimin e rinjve mbi rolin e trashëgimisë kulturore si një promotor i zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik nëpërmjet:
- Përfshirjes së të rinjve në proceset vendimarrëse të lidhura me trashëgiminë kulturore;
- Ndërhyrjes së drepërdrejtë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke identifikuar dhe katalloguar artefakte të dëmtuara dhe që kanë nevojë për restaurim.
Këto objektiva do të arrihen përmes zbatimit të një sërë aktivitetesh që fokusohen në rritjen e interesit të fëmijëve për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë publikë dhe privatë të cilat janë përgjegjës për konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Aktivitete si fushata ndërgjegjësuese në media sociale, organizimi i seminareve dhe përgatitja e manualeve edukative do të rrisin nivelin e ndërgjegjësimit, pjesëmarrjes dhe përfshirjes së të rinjve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ky projekt do të kontribuojë gjithashtu në promovimin e parimeve kryesore të mirëqeverisjes si pjesëmarrja e qytetarëve, transparenca dhe llogaridhënia.
Grupet kryesore të synuara nga ky projekt janë:
- Të rinjtë e Qytetit të Durrësit
- Stafet Akademike
- Intitucionet Publike Lokale dhe Qëndrorë përgjegjëse për Kulturën dhe Turizmin
- Organizatat Lokale të Shoqërisë Civile etj.
Aktivitetet kryesore të cilat do të zhvillohen ne kuadër të këtij projekti janë:
- Përgatitja e një Manuali trajnimi mbi restaurimin e artefakteve;
- Hartimi i një Udhëzuesi mbi politikat dhe programet për angazhimin e të rinjve në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore;
- Organizimi i workshopeve me të rinjtë e qytetit të Durrësit, përfshirë të rinjë nga grupet vulnerabël;
- Krijimi i një portali online;
- Identifikimi dhe katalogimi i artefakteve të dëmtuara;
- Përgatitja e souvenireve.
Nëpërmjet zbatimit të këtij projekti synohet të arrihet:
- Rritja e angazhimit të të rinjve në proceset vendimarrëse të lidhura me mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore
- Përmirësimi i politikave për përfshirjen e të rinjve në politikat vendimarrëse;
- Rritja e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve publik dhe privat me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kultutore;
- Rritja e ndërgjegjësimit në komunitetin e targetuar mbi rëndësinë e ruajtjes dhe konservimit të Trashëgimisë Kulturore.