Xhamia e Vogël Durrës (Xhamia Fatih)

E ndërtuar në vitet 1502-1503 mbi rrënojat e një bazilike, xhamia "Fatih" është ndër më të vjetrat në vend. Pranë Amfiteatrit dhe Torrës Veneciane ajo është pjesë e ansamblit muzeal dhe mban emrin e Sulltan Mehmet Fatihut II.

Nga rrënojat e bazilikës mbi të cilën është ndërtuar janë ruajtur pak mure me tulla, pjesërisht arkada veriore dhe muri perëndimor i rindërtuar me teknikën e Kluasonazhit që i takon Shek. XIII- XIV. E ndërtuar me stil të veçantë, pjesa e sipërme përbëhet nga çati me tjegulla dhe jo kupolë siç jemi mësuar të shohim në xhamitë e tjera.

Në vitin 1967, xhamisë iu shemb minarja nga sistemi komunist dhe u kthye në magazinë të përkohshme deri në vitin 1973, vit në të cilin mori statusin Monument i Trashëgimisë Kulturore. Sot shfrytëzohet nga Komuniteti Mysliman dhe është në funksion të besimtarëve të cilët falen 5 herë në ditë gjatë muajit të Ramazanit. Vendndodhja e xhamisë Fatih pranë brigjeve të detit Adriatik dhe Murit Bizantin, Amfiteatrit më të madh në Ballkan dhe Muzeut Etnografik, i jep vlerë të veçantë në një kompleksi monumentesh mjaft tërheqëse për turistët e huaj.