Kalaja e Durrësit

Kalaja e Durrësit u ndërtua në fund të shekullit të V-të nga perandori i Perandorisë Bizantine, Anastasius, i cili e kishte origjinën nga ky qytet. Në kohën e tij, Durrësi u bë një nga qytetet më të fortifikuara të brigjeve të Adriatikut, dhe kalaja ishte e treta për nga madhësia pas asaj të Stambollit (Kostandinopojës) dhe Selanikut gjatë periudhës bizantine,.
Për ndërtimin e mureve të kësaj kalaje janë përdorur rreth 15 milionë tulla, duke krijuar rreth 40 kulla mbrojtëse. Kjo bëri që perimetri i mureve të arrijë në një gjatësi prej 4,4 km dhe një gjerësi prej 3,4 m.
Kalaja ishte e fortifikuar me kulla vrojtimi të ndërtuara nga Republika e Venedikut dhe nga anzhuinët, duke theksuar kështu rëndësinë strategjike dhe rolin mbrojtës të Durrësit në këtë periudhë historike. Kjo strukturë e fortifikuar tregon një pjesë të rëndësishme të historisë së Durrësit dhe ndikimin e perandorive dhe republikave të ndryshme në zhvillimin e tij urban dhe strategjik.