Torra Veneciane

Kalaja e Durrëst është ndërtuar në shekullin e V nga Perandori Bizantin Anastasi, i cili ishte me origjinë nga Durrësi. Gjatë sundimit të Perandorit Anastas, Durrësi u kthye në një nga qytetet më të fortifikuara të Adriatikut. Torra Veneciane është pjesë e fortifikimeve të Kalasë së Durrësit. Torra është ndërtuar në shekullin e XV, diametri i saj është 16 metra dhe ka një lartësi 9 metra. Torra ka një portë hyrëse në formë harku me tulla. Ambienti i brendshëm është ndërtuar me tulla në formë kupole. Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të pjerrta. Mbi murin e lakuar të ndërtesës si cilindër duken pesë dritare të vogla, që shohin nga deti. Tarraca e kullës është e dekoruar me bedena që ngjasojnë me ndërtimet e kalave të vogla. Torra Veneciane ishte një nga vendet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Bashkimi Evropian financoi punimet e rinovimit nëpërmjet projektit EU4Culture. Punimet restauruese u fokusuan në ruajtjen e tipareve origjinale të ndërtesës dhe restaurimin e komponentëve kryesorë duke e përshtatur me standardet bashkëkohore.
Torra Veneciane e rinovuar do të shërbejë si Qendra e parë e Interpretimit të Trashëgimisë Kulturore dhe një motiv për turistët vendas dhe të huaj që të vizitojnë qytetin. Qendra do të ofrojë lloje të ndryshme të veprimtarive të interpretimit të historisë përmes mjeteve moderne të tregimit dixhital dhe multimedial, duke theksuar ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme të historisë së Durrësit. Vizitorët do të mund të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kupolë, të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes përvojave të realitetit virtual, të marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave në vendosura në hyrje të torrës dhe nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë.