Kepi Rodonit dhe Kalaja e Skënderbeut
Kalaja e Rodonit ndodhet në kepin e Rodonit. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu, duke synuar që të kishte një dalje të afërt në det, ngriti këtu një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rumbullakëta. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik.
Kepi i Rodonit apo siç njihet ndryshe si Muzhili i Skënderbeut është një nga stacionet më të bukura turistike e historike të Shqipërisë. Emri Rodon vjen nga Perëndia e detit, që quhet Redon. Kisha e Shën Ndout dhe kalaja bregdetare e Skënderbeut është ndërtuar në rast tërheqjeje të Skënderbeut drejt Venedikut. Këto janë dy nga vendet më të spikatura dhe të pëlqyera nga vizitorët vendës e të huaj, përpos faunës e gjelbërimit që të ofron ky kep. Në brendësi të kishës së ndodhur atje, një ndërtim i hershëm që i përket shekullit të XIII-të dhe funksional përgjatë kohës së Skënderbeut, gjendet edhe flamuri origjinal i pikturuar në muret e saj, "të ideuar" që nga koha e "sundimit" komunist nga ish-ushtarët e repartit të baterisë bregdetare, të stacionuar shumë pranë këtij vendi.