Kisha e Shën Antonit ( Shën Ndout)
Kisha e Shën Ndout është një kishë katolike romane, monument i trashëgimisë kulturore në Rodon, në qarkun e Durrësit. Kisha e Shën Ndout ndodhet midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në qarkun e Durrësit, në bregun e Adriatikut. Kisha e Shën Ndout, është monument i trashëgimisë kulturore me një arkitekturë romaniko-gotike e shek. XIII.
Ajo është një ndër kishat më të dëgjuara në periudhën e Mesjetës, edhe për shkak të ndërtimeve që bëri Skënderbeu në zonën e Kepit në shekullin XV. Për ndërtimin e saj është përdorur teknika bizantine e klausonazhit si dhe mjaft analogji me kishat bizantine, gjë që dëshmon për vijimësinë e traditës bizantine. Po ashtu, në planin ndërtimor dallohen edhe elementë të arkitekturës romanike dhe gotike, si harqet e mrehtë. Në interierin e kishës dallohen gjurmë të pikturës murale bizantine nga tre faza pikturimi. Ndër fragmentet e ruajtura nga piktura murale, në pjesën e poshtme qendrore të absidës lindore paraqitet një shqiponjë dykrenore, e realizuar në monokromi si dhe, më djathtas, një kalorës i ri pa mjekër dhe dy shpendë. Paraqitja e shqiponjës dykrenore ka karakter simbolik. Prania e shqiponjës dykrenore në absidën e kishës së Shna Ndout me shumë gjasa e lidh monumentin me familjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Edhe kalaja e ndërtuar nga Skënderbeu, në mes të shek. XV në kep, ndodhet fare pranë monumentit. Ky monument është dëshmi e ndikimeve kulturore të arbërve në Mesjetën e Vonë, në një kohë dhe hapësirë ku, pavarësisht se ishte pjesë e “Adriatikut venedikas”, tradita bizantine nuk rreshti së ekzistuari.